Glauk Konjufca, i cili mbante pozitën e kryetarit të Kuvendit Konjufca, tha se ende nuk e kanë emrin e kandidatit për kryetar të ri të Kuvendit. Kjo çështje, tha ai, do t’i nënshtrohet “disa principeve” si “përpjekja për themelimin e qeverisë”.
“Kjo me siguri edhe për arsye se, mendoj që të gjitha pozitat, sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, e cila do të shndërrohet pastaj në qeveri, i nënshtrohen disa principeve, e njëri prej principeve kryesore është përpjekja për me e themelu qeverinë”, tha ai.
Konjufca tha se formimi i qeverisë nga LVV-ja është “e pamundshme pa një koalicion”.
“Prandaj të gjitha pozicionet, unë do ta kisha futur këtu edhe pozicionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës i nënshtrohen këtij principi. Kjo është me siguri arsyeja pse ende nuk e kemi një emër të qartë sa i përket kryetarit të ardhshëm të Kuvendit të Republikë së Kosovës”, tha ai.
Albulena Haxhiu, e cila e përfaqësoi LVV-në në takimin me partitë që fituan ulëse në parlament, tha se “është e rëndësishme” që të konstituohet Kuvendi pa vonesa, por konfirmoi gjithashtu se emri i kandidatit “nuk dihet”.
“Ajo çka dihet tani për tani, është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave tjerë të cilët do të mbajnë pozicione tjera qoftë në qeveri, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Qëllimi i këtij takimi, ajo tha se ishte “pikërisht që të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të mos ketë vonesa në këtë drejtim”.
“Besojmë që secili prej subjekteve politike në Republikën e Kosovës do t’i marrë përgjegjësitë që u takojnë. Ajo çka është e rëndësishme të theksohet është që me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar”, tha Haxhiu.
Përgjigjen se a do ta propozojë LVV-ja një kandidat për kryeparlamentar nga një tjetër parti politike, tha se nuk e di.
“Nganjëherë po bëhen pyetje të cilave ende nuk ua dimë përgjigjen, por ju lutem që të prisni deri të martën, më 15 prill kur edhe do të mbahet kjo seancë konstituive. Nëse jo deri të martën, unë nuk e di se kur tjetër, por e martja është seanca kur shumë prej aspekteve të cilat ne po i trajtojmë sot këtu do ta marrin përgjigjen”, tha ajo.
Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje i cili u regjistrua si deputet në Kuvendin e Kosovës, foli para mediave për qëndrimet sa i përket formimit të qeverisë, për çka tha se numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës.
Bahtiri tha se “numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës”.
“Unë mendoj se po, janë numrat për formimin e qeverisë…Numrat janë të deputetëve të cilët janë 61 e më shumë dhe ata do të bëhen… Është mendim i tyre, ne e dimë se i kemi numrat dhe do i bëjmë me deputetët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai, transmeton Periskopi.
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se i kanë numrat për formimin e Qeverisë.
Por, ai s’iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se si i kanë siguruar ato vota.
“Gjithsesi”, tha Murati kur u pyet nëse janë gati për seancën e 15 prillit, e cila është caktuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
I pyetur më pas nëse i kanë numrat, Murati u përgjigj: “Patjetër që po. 61 – sa më shumë aq më mirë”.
Deputetja boshnjake dhe kryetarja e NDS-së, Emilja Rexhepi, ka shprehur optimizëm për formimin e institucioneve të reja
“Mendoj se gjithçka do të jetë mirë sa i përket formimit të institucioneve’’ thotë ajo.
Ajo u shpreh se për partinë e saj, situata është e qartë dhe se ata janë të gatshëm të mbështesin qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.
‘’Ne mbështesim qeverinë e re të Albin Kurtit’’ shtoi ajo.
Rexhepi sugjeron se mazhoranca e tanishme, përkatësisht ajo që udhëhiqet nga Albin Kurti, nuk do zgjedhje.
‘’Mazhoranca nuk do zgjedhje,” u shpreh Rexhepi për FrontOnline.
Megjithatë, Rexhepi theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme për të gjitha palët, NDS është e gatshme të shkojë në zgjedhje.
“Nëse jo, jemi gati të shkojmë në zgjedhje,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se partia e saj do të kërkojë një zgjidhje tjetër, nëse negociatat nuk e qojnë vendin drejt stabilitetit të duhur politik.
Ndryshe kryeministri në detyrë, Albin Kurti të enjten nuk i është përgjigjur mediave sa i përket formimit të qeverisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.
Çfarë thanë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja?
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili tha të martën se “me të 15-in duhet të gjithë ta japin kontributin që të fillojë konstituimi i Kuvendit”.
Në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri, ai tha se nuk sheh ndonjë pengesë. “Ta presim atë ditë”, tha ai, duke kujtuar se “kryetari i Kuvendit zgjidhet gjithmonë”.
“Unë mendoj që kryetari i Kuvendit do të zgjidhet”, tha ai. “Nuk e shoh si problematikë. Në qoftë se ngritet si problematikë, atëherë marrim një qëndrim tjetër”.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili tha po atë ditë se është vitale që institucionet të formohen “sa më shpejt”.
“Çfarëdo vonese potenciale në krijimin e institucioneve të vendit do t’i bënte përfundimisht dëm pikërisht qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo pas takimit.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës besojnë se “dikush po punon që të bëhet llugë e vendi të shkojë prapë në zgjedhje”.
“Duket që edhe konstituimi i Kuvendit do të jetë një veprim, poashtu i komplikuar. Në mbledhjen e sotme me Kryetarin e Kuvendit, u tha se sipas rregullores, Kuvendi konsiderohet i konstatuar, pasi që të zgjedhen Kryetari dhe pesë nënkryetarët, përfshirë edhe dy nënkryetarët nga radhët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera jo shumicë. Sipas kësaj logjike, është e mundur që konstituimi i Kuvendit, të jetë në dorën e Listës Serbe!”, tha sekretari i AAK-së, Muharrem Nitaj të martën./PERISKOPI/