Kryetari në detyrë i kuvendit, Glauk Konjufca, ka mbajtur sot mbledhje me përfaqësuesit e subjekteve politike të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës së 9-të.
Sipas njoftimit, Konjufca dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe subjekteve të praktikave, deputetët e partisë së parë do të ulen në ulëset e mesit të sallës plenare, në anën e djathtë subjekti i dytë, që është PDK-ja, në anën e majtë do të ulen deputetët e LDK-së, kurse në ulëset e tjera do të ulen deputetët e AAK-së dhe nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera jo serbe.
“Në vijim kryetari Konjufca ua bëri të ditur përfaqësuesve të subjekteve politike agjendën e seancës konstituive. Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve”.
“Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK). Para përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend kryetari Konjufca prezantoi edhe agjendën e regjistrimit të deputetëve, si procedurë standarde para seancës konstituive”.
“Kështu, të enjten, më 10 prill, nga ora 9:00 – 16:00 do të regjistrohen deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të premten, më 11 prill deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të hënën, më 14 prill, deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të komuniteteve pakicë, në intervalin e njëjtë kohor”, thuhet në njoftimin e kuvendit, transmeton Klankosova.tv.
Me vendim të presidentes Vjosa Osmani seanca konstituive do të mbahet të martën, më 15 prill 2025, në orën 10:00.