Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina duhet të bëjë gjithçka për të siguruar që lufta me Rusinë të përfundojë vitin e ardhshëm përmes diplomacisë. Ai theksoi se situata në fushën e betejës në Ukrainën lindore është e vështirë dhe se forcat ruse po bëjnë përparime. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka shprehur asnjë interes për të arritur një marrëveshje paqeje.
Në një intervistë radiofonike të dhënë të shtunën, Zelensky gjithashtu foli për mundësinë e bisedave me autoritetet amerikane, duke përmendur ligjin amerikan që i ndalon takimet me presidentin e zgjedhur Donald Trump përpara inaugurimit të tij në janar. Ai shtoi se do të ishte i gatshëm të zhvillonte një bisedë vetëm me Trump, dhe jo me ndonjë përfaqësues apo këshilltar të tij.
“Unë, si president i Ukrainës, do të pranoj seriozisht një bisedë vetëm me presidentin e Shteteve të Bashkuara, me respekt të plotë për njerëzit e tjerë. Nga ana jonë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të përfunduar këtë luftë vitin e ardhshëm, përmes përpjekjeve diplomatike”, tha Zelensky.
Një ditë më parë, Zelensky shprehu besimin se “lufta do të përfundojë më shpejt” nën administratën e ardhshme të udhëhequr nga Trump, duke vlerësuar bashkëbisedimet e tij të mëparshme me republikanin, pavarësisht shqetësimeve të mundshme për një rënie të mbështetjes së Uashingtonit ndaj Ukrainës. Presidenti ukrainas theksoi se kishte pasur një “ndërveprim konstruktiv” me Trump gjatë bisedës telefonike pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Trump e kuptoi mirë bazën mbi të cilën mbështetemi. Nuk kam dëgjuar asgjë që bie ndesh me qëndrimin tonë”, shtoi Zelensky.