Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë për shkeljen e armëpushimit të shpallur për festën e Pashkëve. Në një deklaratë për BBC, ai tha se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërkohë që vazhdon sulmet ndaj Ukrainës.
Forcat ukrainase raportuan dhjetëra raste të granatimeve nga artileria ruse gjatë natës, pavarësisht se armëpushimi ishte shpallur në mënyrë të njëanshme nga pala ruse. Nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit, ushtria ukrainase regjistroi 59 raste të granatimeve dhe pesë tentativa për sulme tokësore nga forcat ruse.
“Që nga mëngjesi i Pashkëve, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërsa në disa zona ende po përpiqet të avancojë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se edhe pala ukrainase nuk po e respekton armëpushimin. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan për shpërthime në qytetin e pushtuar të Donetskut, si dhe për sulme të artilerisë ukrainase ndaj qytetit Gorlovka.
Sipas autoriteteve ruse, forcat ukrainase kanë sulmuar edhe rajonet kufitare të Rusisë, duke përdorur dronë në disa prej sulmeve.
Presidenti Zelensky kishte shprehur fillimisht skepticizëm ndaj njoftimit të presidentit rus Vladimir Putin, por më pas deklaroi se ishte i gatshëm të respektonte armëpushimin. Ai theksoi se, nëse do të hynte në fuqi, armëpushimi duhej të zgjaste 30 ditë, përtej të dielës së Pashkëve. Ndërkohë, Putin e kishte parashikuar vetëm deri në mesnatën e së dielës.