Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka ngritur alarmin për një kërcënim të ri nga Rusia, duke deklaruar se Kremlini mund të përgatitet për një lëvizje të rrezikshme në territorin bjellorus gjatë kësaj vere, nën petkun e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Minsk-un.
“Këtë verë, Rusia po përgatit diçka atje, nën maskën e kampeve të stërvitjes ushtarake,” tha Zelenskyy në një samit të mbajtur në Varshavë, pa ofruar detaje shtesë apo prova konkrete që do të mbështesnin pretendimin e tij.
Paralajmërimi i presidentit ukrainas vjen në një kohë kur Rusia dhe Bjellorusia kanë paralajmëruar stërvitje të përbashkëta ushtarake që pritet të zhvillohen në shtator, duke ngritur shqetësime për një tjetër mundësi të përdorimit të territorit bjellorus për operacione ushtarake – një skenar i ngjashëm me fazën e hershme të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Retorika e tensionuar nga Kievi po shoqërohet me kërcënime të reja nga Moska. Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, ka lëshuar deklarata kërcënuese ndaj anëtarëve më të rinj të NATO-s, duke thënë se ata janë bërë objektiva të mundshëm për sulme bërthamore në rast të një konflikti me Rusinë.
“Në një situatë konflikti, anëtarët e rinj të NATO-s mund të përballen me sulme hakmarrëse, përfshirë edhe me armë bërthamore,” citohet të ketë thënë Medvedev, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS. Ai dukej të i referohej Suedisë dhe Finlandës, të cilat kohët e fundit janë bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
Tensionet në kufijtë lindorë të Evropës po përshkallëzohen, ndërsa Perëndimi përgatitet për sfida të reja të sigurisë në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm.