Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar sot për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë dhe ndikimin që kjo do të ketë te konsumatorët në veri të vendit.
Në njoftimin zyrtar, ZRRE thotë se më 16 prill 2025, Bordi ka aprovuar tarifa të reja për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit, operimit të sistemit dhe operimit të tregut, si dhe për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes. Këto tarifa janë të detyrueshme për të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike në Kosovë, përfshirë edhe kompaninë serbe Elektrosever që operon në veri.
ZRRE bën të ditur se rritja e tarifave për energjinë elektrike është 16.1% dhe vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që është KESCO, operues në tërë territorin e Kosovës.
Po ashtu, ZRRE njofton se Elektrosever, e cila ka licencë për furnizimin e katër komunave veriore, operon si furnizues komercial dhe është jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 qershori 2025 dhe do të zbatohen në gjithë territorin e Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore, ku Elektrosever vazhdon furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve sipas marrëveshjes së arritur në dialogun Kosovë-Serbi në vitin 2022.