Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në një kantier të madh ndërtimi në Schlieren të Kantonit të Cyrihut. Një punëtor ndërtimi 28-vjeçar ka humbur jetën gjatë punimeve me kallëp, njofton Policia Kantonale e Cyrihut, shkruan Blick.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi rreth orës 08:20, kur një element kallëp i lidhur me një vinç u lirua papritur, duke goditur për vdekje punëtorin. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ndihmë, i riu ndërroi jetë në vendngjarje nga plagët e rënda që mori.
Në momentin e aksidentit, ai ishte duke punuar së bashku me disa kolegë të tjerë. Për të afërmit dhe kolegët e viktimës u ofrua përkujdesje psikologjike nga kapelanët e emergjencës dhe ekipet përkatëse të mbështetjes, transmeton QENDRA.Info
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti të rëndë po zhvillohen nga Policia Kantonale e Cyrihut në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Zyrën e Prokurorit Publik të Cyrihut-Sihl. Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm gjithashtu edhe SUVA, Policia e Qytetit të Schlierenit, Shërbimi i Shpëtimit i Limmattal-it dhe Departamenti i Zjarrfikësve Schlieren.
Autoritetet kanë bërë të ditur se siguria në kantier do të jetë në fokus të hetimeve për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha standardet ligjore dhe teknike të punës./QENDRA.info